Sot, në Gostivar, në prani të kryetarëve të komunave të Tetovës, Gostivarit, Bërvenicës, Jegunovcës, kryesuesit të Këshillit të Vrapcishtit dhe Kërcovës, në mënyrë solemne u shënua fillimi I aktiviteteve të projektit “Përmirësimi I mirëkuptimit ndërkulturor në komunat multi-etnike në Maqedoni”. Projektin e implementon shoqata qytetare Asociacioni për Iniciativa Demokratike (ADI) nga Gostivari, me përkrahje të ambasadës së Britanisë së Madhe në Shkup.
Ambasadori I Britanisë së Madhe, z. Kristofer Ivon, theksoi rëndësinë e dallimeve si pasuri në një shoqëri dhe I përshëndeti aktivitetet që kanë për qëllim avancimin e dialogut ndër-etnik dhe ndër-fetar.
Nga ana tjetër, kryetari I Gostivarit, Nevzat Bejta, duke folur në emër të të gjithë kryetarëve në këtë solemnitet, theksoi nevojën e angazhimit të vazhdueshëm për avancimin e marrëdhënieve mes të gjitha bashkësive.
Albert Musliu, drejtor ekzekutiv I ADI-t potencoi se “Projekti paraqet iniciativë inovative, me qëllim që tu ndihmohet komunave në strukturimin e aktiviteteve në sferën e multikulturalizmit dhe si e tillë të ndahet me komunat tjera dhe institucionet relevante, me shpresë të bëhet politikë dhe praktikë standarde në vend”.
Ky projekt dyvjeçar parasheh sjelljen e Strategjive lokale për mirëkuptim ndër-kulturor të cilat do të paraqesin një mekanizëm të institucionalizuar për të gjithë aktorët kyç në nivel lokal për përpjekjet e tyre në përmirësimin e dialogut ndërkulturor dhe ndëretnik.